Artikuj mjekësor

Ҫfarë duhet të dinë prindërit për Fruthin te fëmijët dhe parandalimin e tij

Fruthi është një infeksion viral që prek rrugët e frymëmarrjes por që mund të parandalohet nëpërmjet vaksinimit.

Fruthi i njohur ndryshe edhe me termin Rubeola mund të kthehet në një gjendje tejet serioze deri në fatale për fëmijët e vegjël. Pavarësisht se, si pasojë e vaksinimit dhe sensibilizimit mbi këtë sëmundje kemi një rënie të numrit të të prekurve nga Fruthi, kjo sëmundje vazhdon të godasë sërish duke prekur më së shumti fëmijë nën moshën 5 vjeç.

Në rast se një person preket nga kjo sëmundje, duhet të bëjë vaksinën e fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e Fruthit fillojnë të jenë të dukshme afërsisht pas ditës së 10-14 pasi organizmi është ekspozuar ndaj virusit. Shenjat dhe simptomat e Fruthit zakonisht janë:

  • Temperaturë
  • Kollë e thatë
  • Rrjedhje hundësh (shtim i sekrecioneve nazale)
  • Dhimbje fyti
  • Sy të skuqur (koniuktivit)
  • Njolla të vogla të bardha në gojë
  • Skuqje të lëkurës (rash kutan) që përhapet në të gjithë trupin. Fillimisht, pra në ditët e para përhapet në fytyrë dhe kokë dhe më pas në pjesët e tjera të trupit.

Infeksioni kalon në disa etapa të ndryshme të cilat në total zgjatin për një periudhë kohore nga 2-3 javë.

  • Infektimi dhe Inkubacioni: Në 10-14 ditët e para pasi personi është ekspozuar ndaj virusit është periudha që virusi inkubohet. Kjo është periudha që nuk shoqërohet me shenja dhe simptoma të dukshme.
  • Shenjat dhe simptomat jospecifike: Fruthi zakonisht në momentin e shfaqjes shoqërohet me temperaturë nga të lehtë në të moderuar, e shoqëruar kryesisht me kollë e vazhdueshme, rrjedhje të hundëve, sy të skuqur (koniuktivit) dhe dhimbje fyti, gjendje kjo që mund të zgjasë 2-3 ditë.
  • Gjendja akute e sëmundjes dhe skuqja: Skuqja e lëkurës (rash kutan)konsiston në shfaqjen e pullave të vogla të kuqe disa prej të cilave janë paksa të fryra, të cilat fillimisht prekin fytyrën. Në ditët në vijim këto skuqje prekin pjesët e tjera të trupit si krahët, kofshët dhe duke zbritur poshtë te këmbët  dhe shputat e këmbëve, dhe ndërkohë temperatura vijon të rritet duke arritur deri në 40-41C.
  • Periudha e transmetimit të virusit te të tjerët: Personi i prekur nga Fruthi është rrezik për transmetimin e virusit (infektimin) e personave që e rrethojnë, rrezik ky që zgjat rreth 8 ditë, pra katër ditë përpara shfaqjes së skuqjeve në lëkurë dhe 4 ditë pas shfaqjes së tyre.

Kur duhet të drejtoheni te mjeku

Telefononi menjëherë mjekun nëse dyshoni se keni shenja apo simptoma të fruthit, apo nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj fruthit dhe keni rënë në kontakt me një person të sëmurë.

Shkaktarët

Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse, dhe në rastet kur i prekuri nga fruthi kollitet, teshtin apo flet, mikrobet e infektuara që lëshohen në ajër prej tij mund të infektojnë personat e tjerë përreth. Po kështu këto mikrobe të infektuara mund të depozitohen në sipërfaqe të ndryshme me të cilat është në kontakt i infektuari, si në: tavolina, karrige, dyer, etj, duke qëndruar aktive dhe rrezik për infektim në rast kontakti deri në 2orë. Pra ju mund të infektoheni me këtë virus nëse prekni me gishta këto sipërfaqe të kontaminuara dhe më pas i fusni në gojë, në hundë apo fërkoni sytë. Vlerësohet se rreth 90% e personave të cilët janë ekspozuar ndaj këtij virusi, pra kanë patur kontakt me persona të infektuar, të jenë infektuar edhe ata me këtë virus.

Faktorë rreziku

Konsiderohen si faktorë rreziku për Fruthin:

  • Mosvaksinimi - Në rast mosvaksinimi kundër Fruthit rriten ndjeshëm shanset për t’u prekur nga ky i fundit
  • Udhëtimet jashtë vendit - Në rast se udhëtoni në vendet e konsideruara në zhvillim, ku edhe Fruthi është një semundje që haset më shpesh, atëherë rriten shanset për t’u prekur nga kjo sëmundje.
  • Defiçenca e Vitaminës A në organizëm: Nëse nuk keni nivelin e nevojshmë të vitaminës A të përfshirë në dietën tuaj ushqimore, atëherë shanset janë që të jeni më të rrezikuar të përjetoni simptoma dhe komplikacione më të rënda nga kjo sëmundje.

Komplikacionet

Fruthi mund të cojë në komplikacione në të gjitha moshat por gjthsesi komplikacionet më të shpeshta hasen te fëmijët më të vegjël se 5 vjeç apo personat më të mëdhenj se 20 vjeç. Komplikacionet nga Fruthi hasen më së shumti te fëmijët nën 5 vjeç përfshijnë:

  • Infeksion në vesh dhe diarre - 1 në 10 fëmijë të prekur nga Fruthi mund të kenë humbje permanente të dëgjimit si rrjedhojë e infeksionit në vesh.
  • Bronkit & Laringit - Fruthi mund të çojë në inflamacion të laringsit ose inflamacion të tubave bronkialë.
  • Pneumoni - është ndër komplikacionet e rënda të Fruthit, haset në rreth 1 nga 20 fëmijë të prekur. Konsiderohet edhe si një nga komplikacionet që mund të çojë edhe në vdekje.
  • Encefalitis (inflamacion i trurit) - Ky komplikacion haset në afërsisht 1 në 1.000 fëmijë të prekur nga Fruthi, duke shkaktuar konvulsione që çojnë në humbje të dëgjimit ose më vonë mund të lënë pasoja të rënda në sistemin nervor.
  • Probleme me shtatzëninë - Nëse jeni shtatzënë duhet të merrni masa specifike për të evituar infektimin nga Fruthi për arsye se mund të çojë në lindje të parakoshme, foshnje me peshë të vogël deri në vdekje të nënës.

Parandalimi

  • Fakti që Fruthi është shumë ngjitës sidomos, 4 ditë përpara se të shfaqen njollat e kuqe në lëkurë dhe 4 ditë pas, personat e prekur gjatë kësaj periudhe kohore rekomandohen që të mos frekuentojnë ambiente publike apo vende ku mund të ndërveprojnë me të tjerë, pra të mos rimarrin aktivetet e tyre ditorë.
  • Primare për të parandaluar këtë sëmundje ështëvaksinimi i fëmijëve. Vaksina MMR është 95% efektive në mbrojtjen e fëmijës ndaj Fruthit.

Vaksina e MMR aplikohet te fëmijët në dy doza dhe përkatësisht:

  • Doza e parë aplikohet rreth muajit të 12-15 të foshnjes
  • Doza e dytë aplikohet rreth moshës 5 vjeç
  • Për fëmijët nën 1 vjeç, këshillohet që nënat t’i ushqejnë vetëm me qumësht gjiri dhe mos t’i ekspozojnë në vende të populluara.

Po kështu në rast se planifikoni të udhëoni jashtë vendit, në rast se nuk jeni vaksinuar, përpara se të udhëtoni duhet të bëni vaksinën kundër fruthit.

Në rast se fëmija joimun bie në kontakt me një fëmijë të prekur nga fruthi, brenda 72 orëve duhet të kryejë vaksinën e fruthit, me qëllim parandalimin e sëmundjes.

Personat e vaksinuar fitojnë imunitet për të gjithë jetën.

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al